"Illyria" është e hapur për të gjithë
Në dy emisionet e fundit të radios së Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, udhëheqësi i ligës dhe i radios akuzoi pa argumente politikën redaktuese të gazetës "Illyria".
Do të ishte e padobishme të polemizonim me udhëheqësin e kësaj radioje, por nuk do të ishte as dhe modeste për redaksinë të fliste për punën e saj.
Megjithatë, jemi të detyruar t'i shfaqim edhe një herë qëllimet e botimit të gazetës "Illyria".
Gazeta "Illyria", që nga numri i parë, i ka venë vetes si qëllim të ruajë dhe të konsolidojë traditat kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndihmojë me të gjitha mundësitë zhvillimin dhe përparimin e atdheut tonë, Shqipërisë, si dhe të informojë opinionin dhe institucionet amerikane e ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës me rrethinë.
Gazeta "Illyria" është e ndërgjegjshme se problemet që përballon tani populli shqiptar janë të mëdha dhe të vështira. Me shembjen e regjimit komunist dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri, para popullit tonë qëndron detyra shumë e vështirë e konsolidimit të rendit të ri demokratik nga pikëpamja politike dhe ekonomike. Detyrë e lartë patriotike e komunitetit tonë është që të mbështesë ato forca, që janë në pararojë të këtyre proceseve, që dëshirojnë të ndërtojnë një Shqipëri vërtet demokratike, të qytetëruar, perëndimore. Megjithëse peshën kryesore në këtë drejtim e kanë ato forca politike që veprojnë realisht në Shqipëri, sepse u takon atyre para së gjithash detyra që ta shpien para dhe ta ngrenë lart këtë proces të përtëritjes demokratike të atdheut, nuk ka asnjë dyshim se komuniteti mund të ndihmojë shumë, duke mbështetur forcat politike më progresive dhe demokratike.
Problemi i dytë i madh është ai i popullsisë shqiptare që jeton në trojet e veta, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë me rrethinë dhe në Çamëri. Komuniteti ka dhënë një kontribut të madh në njohjen e shtypjes dhe padrejtësive, të cilave u janë nënshtruar vellezërit tanë në këto vise, si në opinionin publik dhe administratën amerikane, ashtu dhe në opinionin botëror. Në këtë kontekst, gazeta "Illyria" tash dy vjet përpiqet që t'u japë krahë këtyre përpjekjeve, duke respektuar gjithnjë parimet demokratike të shtypit të lirë, ka qenë dhe do të jetë tribunë për shfaqjen e opinioneve të ndryshme, pavarësisht nga pikëpamjet politike, por që kanë për bazë dhe pikësynim afrimin, bashkimin e shqiptarëve. Ne besojmë se shtypi i lirë është mjeti më i mirë për të mundur diktatin dhe njëmendësinë politike.
Gazeta "Illyria" asnjëherë nuk ka rënë në kurthin e interesave grupore a personale dhe këtë nuk do ta bëjë as në të ardhmen, sepse interesat e popullit dhe të atdheut për të janë mbi interesat personale të kujtdo qofshin ato e aq më tepër të individëve egocentrikë që ia mveshin vetes kontributin atdhetar të dhënë nga i gjithë komuniteti.
Për të gjitha këto probleme, për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për zgjidhjen e tyre, gazeta ka qenë, është dhe do të jetë e hapur gjithmonë!
Gazeta është përpjekur të pasqyrojë çdo aktivitet politik, kulturor dhe arsimor të komunitetit, të pasqyrojë ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri, në Kosovë dhe në viset e tjera, ku jetojnë shqiptarët, si dhe luftën e përpjekjet e tyre të pareshtura për të shpëtuar nga shtypja skllavëruese.
Mbështetja e komunitetit ka qenë, është dhe shpresojmë se do të jetë edhe në të ardhmen e pakursyer për të kontribuar sa më mirë të gjithë së bashku në zgjidhjen e këtyre problemeve. Gazeta "Illyria" ka lindur dhe gjallon për të pasqyruar jetën dhe aspiratat demokratike dhe liridashëse të komunitetit tonë shqiptar në SHBA. Ajo ka pasur fatin të shohë dritën në vendin më të madh demokratik të botës, në SHBA, dhe ky fakt na obligon edhe më shumë për tolerancë, dashuri dhe mirëkuptim.
Botuar si editorial në gazetën "Illyria", New York, 7 Prill 1993